Shtyllat e Islamit
Nga Ibnu Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmetohet se i Dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!) ka thënë: "Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka zot që meriton të adhurohet përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij, pastaj falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i ramazanit dhe kryerja e haxhit."[1]
Në të vërtetë, Islami nuk mund të kompletohet pa zbatimin e këtyre shtyllave, të cilat bëjnë pjesë në llojet më madhështore të ibadetit.
Rëndësia e tyre
Dëshmia (Shehadeti)
Dëshmia se nuk ka zot që meriton të adhurohet përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij është shtylla më e rëndësishme e Islamit, sepse ajo është themeli, pa të cilin nuk mund të ndërtohet Islami. Andaj, ibadetet janë të pavlefshme, në qoftë se nuk e pranojmë atë.
Namazi
Menjëherë pas dy dëshmive vjen namazi i detyrueshëm, i cili është shtylla e fesë dhe ndër veprat më të dashura tek Allahu. Allahu, për shkak të rëndësisë së namazit ia obligoi atë Pejgamberit të Tij (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!) natën e mi'raxhit (natën kur Pejgamberi alejhisselam u ngrit në qiell). Namazi është gjëja e parë për të cilën do të llogaritet robi Ditën e Gjykimit dhe gjëja e fundit e fesë që do të humbet.
Namazi është shumë i rëndësishëm dhe ka pozitë të lartë te muslimanët. Ata tubohen pesë herë në ditë për ta falur atë. Kjo ndikon që ata të njoftohen me njëri-tjetrin dhe të krijohet mëshirë ndërmjet tyre. Si rrjedhim, kujdesen për njëri-tjetrin dhe njoftohen me të sëmurët dhe nevojtarët, e vizitojnë të sëmurin dhe e ndihmojnë të varfërin, e dobi tjera të shumta.
Allahu i Lartmadhërishëm urren me të madhe vonimin e namazit derisa t'i kalojë koha, e si është puna me atë që nuk e falë fare atë?! Ai thotë:
Mjerë adhuruesve të cilët janë të pakujdesshëm ndaj namazit të tyre
Mjerë për ata që falen, të cilët ndaj namazit të tyre janë të pakujdesshëm.[2]
Zekati
Zekati, i cili bën pjesë në ibadetet materiale përmendet bashkë me namazin në tetëdhjetedy ajete kur'anore. Allahu e bëri atë të domosdoshëm për t'ia plotësuar nevojat të varfrit dhe për të krijuar një ndihmesë shoqërore ndërmjet muslimanëve, ashtu që individi të ketë përgjegjësi ndaj shoqërisë dhe shoqëria të ketë përgjegjësi ndaj individit. Kështu krijohet lidhja vëllazërore ndërmjet muslimanit të pasur dhe vëllait të tij të varfër, e në këtë mënyrë e tërë shoqëria jeton në siguri e harmoni, madje mënjanohen edhe krimet si: vjedhja dhe padrejtësia në pasuri.
Agjërimi
Allahu, për shkak të rëndësisë së madhe të agjërimit, ia obligoi atë çdo populli. Ai thotë:
O ju që besuat! Agjërimi është bërë obligim edhe për ata para jush, që të jeni të kujdesshëm
O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim, sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.[3]
Agjërimi, si ibadet madhështor, u bë detyrë e domosdoshme për të gjithë popujt, sepse nëpërmjet tij shfaqet vërtetësia e dashurisë së robit ndaj Zotit të tij, sikurse edhe madhërimi i tij për Të dhe kërkimi i kënaqësisë së Tij, duke ndaluar veten nga uria, etja dhe epshet. Agjëruesi kujton gjendjen e vëllezërve të tij të varfër, të cilët janë të privuar nga dhuntia e të ngrënit dhe gjëra të tjera që i kërkon epshi, qoftë ndonjëherë apo të shumtën e kohës, kështu që i mëshiron dhe i ngushëllon ata me pasurinë që ia ka dhënë Allahu i Lartësuar.
Haxhi
Allahu bëri obligim haxhin, sepse në të ka përfitime dhe dobi të cilat e përfshijnë fenë dhe jetën e kësaj bote.
Prej dobive fetare konsiderohen bindja ndaj Allahut, njësimi dhe adhurimi i Tij, të cilat shfaqen gjatë tavafit, sa'jit, ndenjes në Arafat, bujtjes në Muzdelife e në Mina dhe gjuajtjes së gurëve, sepse ditët e haxhit janë ditë adhurimi, lutjeje dhe kujtimi Allahun e Lartësuar.
Kurse, prej dobive të jetës së kësaj bote konsiderohet tubimi i madh i muslimanëve që ngjan në atë kohë, e si rrjedhojë lidhen me njëri – tjetrin, mësojnë problemet e tyre dhe përfitojnë dobi tjera të pamohueshme kulturore dhe shoqërore.
No comments:
Post a Comment